La Liga ‘cakton’ datën e rinisjes së sezonit, kërkon nga klubet të jenë gati

La Liga ua ka bërë me dije klubeve se 12 qershori është data më e mirë për të rinisur futbolli në Spanjë.

Pas ndërprerjes së shumë aktiviteteve për shkak të pandemisë së koronavirusit, gjërat kanë nisur t’i kthehen normalitetit, edhe pse rastet pozitive me COVID-19 nuk ndalen.

Futbollistët tashmë janë kthyer në stërvitje individuale, derisa raportohet se nga 18 maji ata mund të stërviten edhe në grupe.

Rinisja e sezonit në Spanjë parashikohej të ndodhte me 20 qershor, por tani sipas AS, La Liga ua ka bërë me dije klubeve që të jenë gati sa më parë, pasi është duke u planifikuar që gjithçka të rifillojë me 12 qershor, ditën e premte.

Serie A dhe Premierligë gjithashtu raportohet se mund të rinisin sezonin nga 12 qershori, nëse jo një javë më herët.